Premierë e filmit “Nëna Terezë dhe Unë” në Zvicër

Më 24 tetor. në hapësirat e Kino Le Paris në Zürich, filloi rrugëtimin e tij në Zvicër filmi “Nëna Terezë dhe Unë”, një produkcion zviceran – indian në regji të dhe skenar të Kemal Musales.

Filmi paraqet një naracion të ndërthurur në dy histori paralele ndër breza, atë të Nënës Terezë, mjeshtërisht të luajtur nga aktorja Jacqueline Fritschi-Cornaz, dhe të Kavitës (Banita Sandhu) – dy grave të cilat përfundimisht i binden thirrjes së tyre, pavarësisht dyshimeve të mëdha personale me të cilat ballafaqohen në jetë.

Përkatësia shqiptare e Nënës Terezë dhe prejardhja e saj nga Shkupi, përbëjnë elemente të rëndësishme në këtë film. Aq më tepër që shfaqja e tij e parë në Zvicër u nderua me fjalë rasti nga Përfaqësuesja permanente e Republikës së Maqedonisë së Veriut në OKB në Gjenevë, Ekselenca e saj znj. Teuta Agai-Demjaha dhe nga ana e Drejtorit të Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë në Shkup, z. Naser Curri.

Me këtë rast, z. Curri, në shenjë mirënjohjeje, aktores Jacqueline Fritschi-Cornaz i dhuroi një medaljon me portretin e Nënës Terezë.