10 vjet Shën Tereza e Kalkutës

Më 4 shtator 2016, në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Nënë Tereza u shpall shenjtore – Shën Tereza e Kalkutës. Dhjetë vjet më vonë, emri i saj vazhdon të jetë sinonim i mëshirës, njerëzimit dhe dashurisë vetëmohuese ndaj njeriut.

E lindur në Shkup si Gonxha Bojaxhiu, ajo e nisi rrugëtimin e saj jetësor në qytetin e lindjes, një rrugëtim që më vonë do ta çonte në Kalkutë dhe në mbarë botën. Por, pavarësisht largësisë, Shkupi mbeti vendi ku filloi historia e saj.

Trashëgimia e saj nuk matet vetëm me mirënjohjen dhe kujtimet që la pas, por mbi të gjitha me jetët e panumërta që preku përmes një gjesti të thjeshtë, një fjale ngushëlluese dhe një dore të zgjatur.

Sot, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës në Shkup ruan kujtimin e kësaj gruaje të jashtëzakonshme dhe mesazhin e saj, i cili, edhe dhjetë vjet pas shenjtërimit të saj, mbetet po aq i fuqishëm: ta njohim njeriun përballë nesh dhe të bëjmë një vepër të mirë me dashuri.