Ekspozita Jubilare

Dje, më datën 16 shtator, në amfiteatrin e IN, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës, në orën 13, u hap zyrtarisht Ekspozita Jubilare dhe u promovua katalogu që feston 15 vjetorin e hapjes së Shtëpisë Përkujtimore.

Manifestimin e hapi u.d drejtoresha Sonja Kuzmanovska, e cila theksoi se Shtëpia Përkujtimore është e gatshme të vazhdojë misionin e saj të frymëzimit dhe edukimit, e udhëhequr nga të njëjtat vlera që Nënë Tereza mishëroi: dashuri dhe dhembshuri dhe vuri në dukje se ajo është një fener frymëzimi për të gjithë ata që e vizitojnë. Ajo falënderoi të gjithë punonjësit për përkushtimin e tyre gjatë 15 viteve të fundit, si dhe të gjithë mbështetësit që janë pjesë e suksesit të përbashkët.

Më pas të pranishmëve iu drejtua Snezhana Aleksovska – Kuratore e lartë, e cila iu referua strukturës së vetë ekspozitës, e cila përbëhet nga 17 kolazhe që tregojnë disa nga projektet dhe ekspozitat më domethënëse përmes 7 temave. Theks i veçantë iu kushtua projekteve të gjithëpërfshirjes: një prezantim me video për personat e shurdhër dhe me vështirësi dëgjimi në gjuhën e shenjave, një udhëzues me alfabetin braile dhe një udhëzues për personat me disleksi. Gjithashtu u përmendën edhe 13 ekspozitat ndërkombëtare, si dhe projekti i Karvanit Kulturor që deri më tani është realizuar në disa institucione në mbarë vendin. Në ekspozitë mund të shihni më shumë fragmente nga 18 librat e përshtypjeve të plotësuara nga vizitorët, duke përfshirë shumë presidentë shtetesh dhe asamble, kryeministra, ministra, ambasadorë, kryetarë bashkish dhe klerikë të lartë. Si pjesë e Shtëpisë Përkujtimore, dhe për rrjedhojë edhe pjesë e ekspozitës, është kapela, e cila në vitin 2019 u shpall shenjtërore nga Papa Françesku. Ai gjithashtu vuri në dukje se ata janë krenarë për dyqanin e muzeut, oferta e të cilit me suvenire po rritet vazhdimisht.

Në vazhdim të manifestimit foli Cvetanka Vuckovska – Mitovska – Kuratore e Lartë, e cila falënderoi të gjithë ata që kanë qenë pjesë e shtëpisë përkujtimore për 15 vitet e fundit. U ndanë mirënjohje drejtuesve të mëparshëm: Renata Kutera – Zdravkovska, Arijan Asllanaj dhe Naser Curri. Mirënjohje ka pasur edhe për punonjësit e mëparshëm Danica Angova, Suzana Glasnoviq dhe Jasna Kristaniq të cilët përvojën e tyre të punës e kanë mbaruar në këtë institucion, por janë ende pjesë e familjes sonë, Narona Luma, Zhaklina Gligorovski dhe Marina Spirovska të cilët vazhduan rugën e tyre në institucione të tjera. Mirënjohje iu nda edhe Kishës Katolike “Zemra e Shenjtë e Jezusit”, me të cilën, siç theksoi Cvetanka, shtëpia përkujtimore  bashkëpunon që nga fillimi në tërësi. Gjithashtu mirënjohje kishte edhe për Motrat Misionare të Dashurisë si dhe për Ministrinë e Kulturës me mbështetjen e së cilës shtëpia përkujtimore realizon çdo vit një numër të madh projektesh.

Në fund, të pranishmëve iu drejtua Andrijana Jeliq – Këshilltare Kuratore, e cila prezantoi projektin “Qasje  për të gjithë” – pamje prekëse nga arkivi i Shtëpisë Përkujtimore të Nënë Terezës, e cila përmbylli një kapitull nga puna e shtëpisë përkujtimore. Projekti përbëhet nga 10 fotografi të bëra në letër kapsule që, me ndihmën e prekjes dhe të shoqëruara me një udhëzues audio dhe një shkronjë braile, do të kontribuojnë në një përvojë shumëshqisore për personat me shikim të dëmtuar dhe të verbërit. Më pas ajo ftoi të gjithë të pranishmit për të parë ekspozitën.